Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj ishte për një vizitë pune në Myftininë Librazhd.
Kryetari u prit nga administratori i kësaj myftinie, z. Xhevahir Bahiti, i cili e njohu me aktivitetin e institucionit dhe punën e kryer prej tij ndër vite.
Z. Bruçaj vlerësoi pozitivisht rolin e myftinisë në përçimin e mesazhit islam dhe punën e imamëve për edukimin e brezave të rinj me normat e moralit të shëndoshë.
Kryetari theksoi se Komuniteti Mysliman ndjek me vëmendje çdo zhvillim të jetës fetare në vend dhe bën përpjekjet e nevojshme për të qenë më afër besimtarëve në identifikimin e nevojave dhe plotësimin e kërkesave të tyre.
Kreu i KMSH-së zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Bashkisë Librazhd, z. Shefki Çota. Ai e falënderoi kryebashkiakun Çota për mbështetjen dhe lehtësirat e krijuara prej tij ndaj myftinisë dhe në interes të besimtarëve.
Nga ana e tij z. Çota, pasi falënderoi z. Bruçaj për vizitën, vlerësoi rolin pozitiv që luan Komuniteti Mysliman në ruajtjen dhe kultivimin e frymës së harmonisë në shoqëri nëpërmjet aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme. Ai e garantoi kryetarin Bruçaj se Komuniteti Mysliman (Myftinia Librazhd) do të ketë mbështetjen e bashkisë në çdo projekt a iniciativë në shërbim të interesave qytetare.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Bruçaj shoqërohej nga ish Myftiu i Librazhdit, tani në detyrën e Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, z. Ylli Gurra.
1 tetor 2014