Seria e takimeve të punës në myftinitë e vendit, u ndal këtë herë në qytetin e Pogradecit, ku Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të institucionit, u pritën nga Myftiu i Pogradecit, z. Namik Mahmutllari, Administratori i Qarkut Korçë, Administratori i Myftinisë Pogradec dhe imamët e kësaj myftinie.

Kjo vizitë pune kishte për qëllim monitorimin dhe mbështetjen në terren të realizimit të objektivave të përcaktuara në mbledhjet e mëparshme lidhur me planin strategjik të punës për periudhën 2024-2029.

Në fjalën e tij, Myftiu paraqiti një përmbledhje të shkurtër të ecurisë së deritanishme të objektivave afatgjata të diskutuara më parë në takimet e përbashkëta.

Ndërkohë, Kryetari Spahiu përgëzoi të pranishmit për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në realizimin e këtyre objektivave dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me faktorët lokalë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së standardeve të larta në ofrimin e shërbimeve fetare dhe sociale, duke siguruar mbështetjen e institucionit për realizimin e projekteve të reja në këtë drejtim.

Më tej, një prezantim të shkurtër bënë edhe administratorët e lartpërmendur, të cilët vunë theksin mbi aspektin financiar dhe atë menaxherial të objektivave të cekura më herët.

Takimi vazhdoi më tej në formën e një bashkëbisedimi të hapur, ku të pranishmit diskutuan për sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e punës së myftinisë dhe zhvillimin e projekteve të ardhshme.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë