ZEKATI
Zekati është detyrim për personat në moshë madhore, mendërisht të shëndoshë, të lirë, të mos kenë borxhe dhe përveç përballimit të nevojave të tij dhe të familjes të zotërojë pasuri në vlerën e nisabit mbi të cilin të kalojë një vit pa e prekur. Sasia e nisabit është kusht si për pasurinë ashtu dhe për prodhimin. Edhe pse ari dhe argjendi nuk shtohen, zekati jepet kur arrin vlerën e nisabit.
Nisabi: është një masë e caktuar nga feja për detyrimin e zekatit. Kjo masë është 85 gr ar, 595 gr argjend ose pasuri, mallra tregtie, para në vlerën e tyre.
Përsa i përket zekatit të kursimeve të parave, ajo është 2.5 % e vleftës totale të paprekur për periudhën njëvjeçare. Zekati i kafshëve ndryshon nga lloji i tyre. Tek të imtat është një në dyzet; tek devetë një në pesë; tek të trashat (lopë) një në tridhjetë. Edhe për mineralet jepet zekat.
KUJT DUHET T’I JEPET ZEKATI
Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar në Kuran në suren Tevbe, ajeti 60, vendet ku duhet të jepet zekat. Sipas ajetit, vendet ku jepet zekat janë:
1- Të varfrit (personat të cilët nuk kanë pasuri në masën e nisabit)
2- Nevojtarët (personat të cilët nuk kanë asgjë)
3- Nëpunësit që mbledhin zekatin
4- Personave të cilët duam t’i afrojmë e t’ia ngrohim zemrën me Islamin. Këtë grup mund ta ndajmë në tre pjesë:
Personat të cilët edhe pse janë myslimanë akoma nuk kanë besim në zemrat e tyre.
Personat që nuk janë myslimanë por shpresohet të bëhen të tillë.
Edhe pse nuk janë myslimanë, mund të jepet për t’u ruajtur nga e keqja dhe për të zbutur pak atmosferën.
1- Robërve, për t’i shpëtuar nga robëria.
2- Borxhlinjve (atyre që nuk kanë pasuri të paguajnë borxhin)
3-Personave që ia kanë kushtuar jetën diturisë, njerëzve dhe institucioneve që ndihmojnë në përhapjen e fesë islame dhe në përgjithësi të gjithë institucionet apo shoqatat që ndikojnë në përhapjen e kulturës Islame.
4-Udhëtarët. (atyre që mund të kenë nevojë për para gjatë udhëtimit)
KUJT NUK MUND T’I JEPET ZEKATI
Përveç përcaktimit se cilës kategori mund t’i jepet zekat, janë përcaktuar gjithashtu edhe personat dhe kategoritë se ku nuk mund të jepet zekati. Këto janë:
1- Të pasurit
2- Personat e aftë për punë
3- Jomyslimanët
4- Farefisi i afërt (Një person nuk mund t’i japë zekat personave të afërt të familjes si nënës, babait, fëmijëve apo gruas. Këtu nënkuptohet se nuk mund t’i japë as gjyshërve, nipërve apo mbesave).
5- Të afërmve të Profetit.
MALLRAT QË MUND TË JEPEN ZEKAT
1 – Tek mallrat e tregtisë hyn çdo lloj malli si veshmbathje, ushqimet, bagëtitë, shtëpitë, tokat dhe për të gjitha duhet të jepet zekat.
Bagëtitë që mbahen për qëllime tregtie hyjnë brenda mallrave të tregtisë dhe për to jepet zekat në masën 2.5 %.
Zekati i mallrave të tregtisë llogaritet 2.5 % e gjithë vlerës së mallit që zotëron personi. Ky zekat mund të jepet në para ose në vlera të tjera.
2. Zekati i bagëtive
Bagëtitë i ndajmë në grupe dhe ndarja e zekatit bëhet sipas grupeve të caktuara në vlerën e caktuar.
3 – Pasuria monetare
Stolitë të cilat përdoren për qëllime tregtia kanë nisabin e përcaktuar, në ar 85 gram ndërsa në argjend 595 gram. Secili person që zotëron këtë sasi të caktuar duhet të japë zekat 2.5 % të mallit. Edhe ata që kanë bono apo letra me vlerë, zekatin e japin duke llogaritur 1/40 e vlerës së mallit që kanë.
4. Pasuritë e patundshme
Përsa i përket personave që kanë shtëpi me qera, diskutohet nëse duhet dhënë zekat mbi vlerën e qerasë apo mbi vlerën e pasurisë. Pjesa më e madhe e dijetarëve janë të mendimit të jepet mbi vlerat personale. Disa dijetarë e përngjasojnë vlerën e qirave me sasinë e mallrave bujqësorë dhe mendojnë se duhet të jepet 1/10 ose 1/20 e vlerës së qirasë. Ndërsa të tjerë mbështesin mendimin e dhënies 1/40 e vlerës së pasurisë së patundshme.
5. Mineralet
Sasia e nisabit për minerale si ari, argjendi, mermeri, smeralde, rubinë, naftë apo gaz natyror është 1/5 ose 20 % e mallit që zotëron personi.
6. Prodhimet bujqësore
Tek prodhimet bujqësore kemi dy lloj ndarjesh: nëse tek toka ku mbillet bëhen shpenzime si ujitja, përdorimi i ilaçeve apo ndonjë lloj shpenzimi tjetër, atëherë zekati është 1/20, ndërsa nëse marrim prodhime pa pasur asnjë shpenzim, është 1/10.
ZEKATI (Lëmosha Pastruese)
Bamirësia shprehet në Islam në forma të ndryshme. Ndërsa sadakaja (bamirësia) është një akt vullnetar,zekati është një detyrim për çdo musliman i cili zotëron një nivel të caktuar pasurie. Fjala zekat rrjedh nga fjala tezekka që do të thotë “të pastrosh diçka.” Prandaj zekati nënkupton mbajtjen e pasurisë të pastër dhe të shenjtë duke u dhënë 2.5 përqind të saj të varfërve. Rrjedhimisht ky akt e bën besimtarin dhe pasurinë e tij të qëndrojë përherë në nivele pastërtie dhe sinqeriteti (Tevbe 9:103). Zekati është një shtyllë shumë e rëndësishme e praktikës Islame dhe kjo vërtetohet nga barazimi që i bëhet asaj me namazin, gjithsej 82 herë në Kur’an.
Bamirësia është një virtyt i nxitur nga të gjitha fetë hyjnore të shpallura më parë dhe nga të gjitha sistemet e tjera të besimit. Islami nuk e ndalon fitimin e pasurisë, gjë e cila është në natyrën e njerëzve, por Islami i nxit të pasurit ta ndajnë pasurinë e tyre me të varfërit. Allahu është i vetmi pronar i vërtetë i gjithçkaje, ndaj Ai u ka dhënë një farë të drejte edhe të varfërve në pasurinë e të pasurve, prandaj pretendimi i dikujt se çdo gjë që zotëron i përket atij dhe refuzimi për ta ndarë pasurinë me të varfërit, përbën në fakt sekuestrim të të drejtës së të varfërve dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija e Allahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; Allahu është dhurues i madh, Ai është i dijshëm. (Bekare 2:268)
Allahu nga ana tjetër ka premtuar se pasuria nuk do të pakësohet kurrë për shkak të dhënies së lëmoshës.
Thuaj: “S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çka do që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh. (Sebe 34:39)
Zekati përbën një formë të detyrueshme bamirësie të marrë nga kursimet e një personi. Ai nuk është një taksë mbi të ardhurat, por një taksë mbi kursimet. Përfituesit më të mëdhenj të tij janë punëtorët e varfër të cilët nuk mund t’i plotësojnë të gjitha nevojat e tyre pa njëfarë ndihme shtesë, si dhe të mjerët të cilët nuk janë në gjendje të sigurojnë as edhe mjetet bazë të jetesës. Ai përdoret gjithashtu për të paguar borxhet e atyre të cilët nuk kanë mundësi t’i paguajnë vetë, për lirimin e skllevërve dhe të robërve të luftës.
Zekati është gjithashtu një virtyt i rëndësishëm i muslimanëve dhe Allahu i paralajmëron ato që nuk e japin atë se do të kenë “një ndëshkim të dhimbshëm,” siç përshkruhet edhe në ajetin e mëposhtëm kur’anor.
Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Të tillët do ti mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë. (Tevbe 9:71)
Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhimbshëm. (Tevbe 9:34)