Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në selinë e KMSH-së zëvendësministrin e Haxhit dhe të Umres në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Dr. Hassan al-Manakhra, i shoqëruar nga grupi i tij i punës.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte vizita e ardhshme e Shkëlqesisë së Tij, Taufik bin Fauzan al-Rabiah, Ministër i Haxhit dhe Umres në Mbretërinë e Arabisë Saudite, i cili do të vizitojë Shqipërinë në ditët në vijim me ftesë zyrtare nga z. Bujar Spahiu, kryetar i KMSH-së.
Një pikë tjetër e këtij takimi ishte diskutimi mbi vizitën e vendeve të shenjta dhe se si mund t’u shërbehet më mirë pelegrinëve shqiptarë në këtë aspekt nga instancat saudite dhe ato shqiptare.
Kjo vizitë dhe diskutimet e lartpërmendura përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.