Bedër, me programe të reja studimi në gjuhën angleze
Kolegji Universitar Bedër zgjeron gamën e programeve për maturantët dhe kandidatët që duan të nisin studimet e larta për vitin akademik 2021-2022. Ky universitet ofron gjithsej 20 programe studimi, 10 në ciklin e parë dhe 10 në ciklin e dytë.
Në rrugëtimin 10-vjeçar, Bedër është kthyer në një institucion elitar të arsimit të lartë në vend, duke u shndërruar në një nga alternativat kryesore për edukimin dhe kërkimin shkencor. Në plotësim të vizionit, Kolegji Universitar Bedër është konsoliduar si një institucion arsimor me karakter ndërkombëtar, duke ofruar programe studimi jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt.
Këtë vit akademik Bedër do të ofrojë për herë të parë në gjuhën angleze 6 programe studimi bachelor dhe master. Programi i studimit Bachelor në Informatikë Ekonomike hapet për herë të parë dhe ofrohet i gjithi në gjuhën angleze. Dekania e Fakultetit të Teknologjisë dhe Biznesit në Kolegjin Universitar Bedër, Prof. Asoc. Dr. Tidita Abdurrahmani, shprehet se Informatika Ekonomike ofron njohuri teorike dhe praktike në dizenjim të sistemeve të ndryshme informatike, bazat e programimit në ëeb, menaxhim të bazave të të dhënave, krijimin dhe implementimin e sistemeve inteligjente të përpunimit të të dhënave në sasi të mëdha, financë, kontabilitet, mikro dhe makroekonomi, politika ekonomike, etj. “Të gjitha këto disiplina i hapin rrugën të diplomuarve në Informatikë Ekonomike për shumë profesione të tilla, si: dizenjues të sistemeve inteligjente ekonomike, konsulentë të sistemeve IT, analistë të të dhënave, analistë ekonomikë ose staticienë, menaxherë, etj.”, thekson Prof. Asoc. Dr. Tidita Abdurrahmani.
Kolegji Universitar Bedër ka kontribuar në promovimin e Shqipërisë si qendër rajonale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Administratori i këtij universiteti, z. Kelmend Nezha, thekson se në këtë dekadë të funksionimit si universitet, Bedër ka diplomuar 298 studentë nga 18 vende të ndryshme. “Për vitin akademik 2021-2022, krahas edhe programit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, në të cilën tashmë janë diplomuar 8 breza studentësh nga disa vende, Bedër do të ofrojë tërësisht në anglisht edhe programin Bachelor në Shkenca Islame. Ky program zgjat 3 vite dhe është projektuar tu ofrojë studentëve një horizont intelektual, duke parashtruar një shumëllojshmëri konceptuale dhe perspective në fushën e Shkencave Islame”, deklaron z. Nezha, duke shtuar se në gjuhën angleze hapet edhe programi Master Shkencor në Studime Religjioze, me 3 profile: Dialog Ndërfetar, Edukim Fetar, si dhe Lidership Fetar.
Administratori i Kolegjit Universitar Bedër thekson faktin se për vitin e ardhshëm akademik janë të interesuar mbi 50 të rinj nga 13 shtete të ndryshme, përveç atyre nga rajoni, të cilët duan të nisin studimet pranë Kolegjit Universitar Bedër.
Për studentët nga Shqipëria, aplikimet online për përzgjedhjen e degëve, raundi i parë, do të bëhen nëpërmjet sistemit uAlbania, ndërmjet datave 29 Korrik – 3 Gusht 2021.
Programet e Ciklit të Parë të ofruara nga Kolegji Universitar Bedër:
• Drejtësi (5-vjeçar)
• Shkenca Kompjuterike
• Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (Gazetari)
• Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim Marketingu
• Shkenca Komunikimi
• Informatikë Ekonomike (në anglisht)
• Gjuhë dhe Letërsi Angleze (në anglisht)
• Shkenca Islame (në anglisht)
• Programim në Ëeb (2-vjeçar)
• Multimedia dhe Dizajn Grafik (2-vjeçar)

Programet e Ciklit të Dytë:
• Master Shkencor në Shkenca Kompjuterike
• Master Shkencor në Drejtësi / E Drejta Ndërkombëtare
• Master Shkencor në Drejtësi / E Drejta Penale
• Master Shkencor në Shkencat e Komunikimit / Marrëdhëniet me Publikun
• Master Shkencor në Shkencat e Komunikimit / Gazetari
• Master Profesional në Komunikim Marketingu
• Master Shkencor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze
• Master Profesional në Mësuesi – Gjuhë dhe Letërsi Angleze
• Master Shkencor në Shkenca Islame
• Master Shkencor në Studime Religjioze, me 3 profile:
o Dialog Ndërfetar
o Edukim Fetar
o Lidership Fetar.

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë