Menjëherë pas faljes së namazit të xhumasë, ditën e djeshme, në oborrin e xhamisë aktuale të qytetit të Librazhdit, u zhvillua ceremonia e fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë së re të këtij qyteti.

Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i ri i Shtetit të Katarit në Tiranë, Sh. T. Z Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dossari, Kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Mariglen Disha, Myftiu i Librazhdit, z. Ardit Hoxhllaku, Drejtori i Qatar Charity Albania, z. Mahmud Abas Shakir, Drejtori i Vakf-Investimeve në KMSH, z. Edison Hoti, si dhe një numër i konsiderueshëm besimtarësh e qytetarësh të Librazhdit.

Në fjalën e tij hapëse, myftiu i këtij qyteti, z. Hoxhllaku, ndau me të pranishmit përpjekjen disa vjeçare në konkretizimin e këtij projekti kaq të domosdoshëm për besimtarët e Librazhdit. Më tej, ai falenderoi përzemërsisht familjen nga Katari që bëri të mundur financimin e kësaj vepre.

Ndërsa kryetari Spahiu, në fjalën e tij të rastit, pasi falenderoi donatorët për mbështetjen që japin në ndërtimin e xhamive në Shqipëri dhe për bashkëpunimin e ngushtë që karakterizon marrëdhënien me KMSH-në, theksoi zhvillimin që do t’i sjellë ndërtimi i kësaj xhamie jetës fetare të qytetit.

Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe kryetari i bashkisë, z. Disha, i cili nënvizoi lehtësimin e procedurave ligjore dhe mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson karshi myftinisë Librazhd në jetësimin e këtij projekti dhe projekteve të ngjashme në të ardhmen.

Fjalën përmbyllëse e mbajti Ambasadori i Shtetit të Katarit në vendin tonë, i cili theksoi rolin e familjes kontribuese në përhapjen e fesë Islame, nëpërmjet veprave të tilla madhore. Më tej ai vlerësoi bashkëpunimin me KMSH-në dhe myftinitë e rretheve si majft të rëndësishëm për tju shërbyer besimtarëve të vendit tonë sipas nevojës dhe mundësive përkatëse.

Më tej, të lartëpërmendurit tërhoqën simbolikisht mbulesën nga tabela e projektit të xhamisë dhe hodhën lopatat e para me beton, duke simbolizuar kështu edhe nisjen zyrtare të punimeve për ndërtimin e saj.

Kujtojmë se në hutben dhe namazin e kësaj xhumaje, besimtarët e pranishëm i priu Kryetari Spahiu.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë