U zhvillua sot në ambientet e “Tirana International Hotel”, ceremonia përmbyllëse e Konkursit Rajonal të Memorizimit të Kuranit Fisnik për vendet e Ballkanit, konkurs ky i organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite.

Në ceremoninë e mbylljes, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë, Sh.T.Z. Fajsal Ghazi Hifdhi, Atasheu Fetar i Arabisë Saudite në Bosnje-Hercegovinë, z. Amir al-Anezi, ambasadorë të vendeve arabe në vendin tonë, drejtues institucionesh fetare nga Ballkani dhe Evropa juglindore, përfaqësues nga ministria e lartpërmendur dhe myftinj e imamë nga rrethe të ndryshme të vendit.

Konkursi në fjalë, bëri së bashku rreth 100 konkurentë nga Ballkani dhe Evropa juglindore dhe zgjati tre ditë, i organizuar me seanca 3 orëshe, paradite dhe pasdite.

Pas leximit të disa ajeteve Kuranore, kjo ceremoni u hap me fjalën përshëndetëse të Ambasadorit të Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tone, i cili, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, vlerësoi kontributin e të gjitha palëve që bënë të mundur realizimin e këtij projekti, duke vënë në pah rolin e vendit të tij si pararendës në unifikimin e zërave të myslimanëve në mbarë botën dhe në mbrojtjen e kauzave të tyre.

Ndërsa kryetari Spahiu, vlerësoi rëndësinë e organizimit të eventeve të tilla në shërbim të Librit të Allahut, islamit dhe myslimanëve në tërësi, duke falënderuar Mbretërinë e Arabisë Saudite për shumat e mëdha të të ardhurave që vë në shërbim ndaj Kuranit Famëlartë dhe Islamit, jo vetëm në rajonin tonë por edhe më gjerë.

Gjatë ceremonisë së sotme u shpallën fituesit për kategoritë e konkursit dhe u shpërndanë për ta çmime simbolike dhe monetare, me një total prej 50 mijë eurosh, çmime të cilat ju ndanë fituesve nga kryetari Spahiu dhe ambasadori Hifdhi.

Po ashtu, ambasadori Hifdhi, vlerësoi me disa dhurata simbolike edhe jurinë e këtj konkursi, e cila për tre ditë me radhë vlerësuan të gjithë konkurentët pjesëmarrës.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, shpreh urimet më të sinqerta për fituesit dhe ju uron suksese në kompeticionet e ardhshme pjesëmarrësve të tjerë.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë