Zhvillohet konferenca a parë shkencore me titull: “Agjërimi dhe Njeriu (Ndikimi i agjërimit në jetën individuale dhe sociale të njeriut)”, organizuar nga Instituti i Studimeve Islame “H. Sabri Koçi” në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”.

Në ceremoninë e hapjes, e cila u zhvillua në sallën e konferencave të këtij institucioni arsimor, ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, z. Jamal al-Safarti, Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, akademikë të shumtë, studiues, myftij, imamë, si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh.

Konferenca nisi punimet e saj me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka, për të vijuar më pas me fjalën hapëse të nënkryetarit Bica, i cili falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe të gjithë kontributorët në organizimin e kësaj konference, e para në llojin e saj.

Ndërsa Kryetari Spahiu, në përshëndetjen e rastit, u ndal në vlerat që mbart muaji i Ramazanit, për ne si besimtarë në veçanti por edhe për mbarë shoqërinë në përgjithësi. Sipas tij, sinqeriteti, shpresa, optimizmi, bujaria, falja dhe të tjera veçori si këto, janë pikërisht ato tipare të cilat gjatë këtij muaji të begatë duhet të karakterizojnë përditshmërinë tonë.

“Feja jonë është mënyrë jetese. Ashtu janë edhe adhurimet. Secili adhurim ka specifikën e tij dhe na mban gjithmonë larg gjynaheve. Agjërimi është ndalimi nga të ngrënit dhe të pirit gjatë ditës. Por ama, agjërimi nuk ka asnjë vlerë, nëse agjëruesi nuk heq dorë nga thashethemet, shpifjet, fitnet, shikimi i haramit, etj. Allahu (xh.sh) na e mundësoftë të shembëllejmë në fytyrat tonë vlerat e vërteta të këtij muaji të bekuar” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej, të pranishmit i përshëndeti edhe z. Safarti, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, i cili shprehu kënaqësinë e të qenit bashkëorganizator në këtë konferencë kaq domethënëse kushtuar muajit më të begatë për besimtarët.

Konferenca u zhvillua më tej në 3 sesione të ndryshme, në të cilat referuesit sollën në fokus aspekte nga më të ndryshmet të agjërimit, përmendim këtu: “Dobitë e agjërimit në planin shpirtëror dhe moral”, “Dimensioni social i agjërimit”, “Jurisprudenca e agjërimit”, “Ramazani dhe fëmijët”, “Aspekti shëndetësor i agjërimit”, “Gruaja myslimane Shqiptare në Ramazan”, “Agjërimi, parandaluesi i mëkateve”, etj.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë