Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Islame pranë Kolegjit Universitar “Bedër”, dhe Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane, zhvilluan sot Konferencën e Tretë Ndërkombëtare në Studimet Islame, me temë: “Islami dhe sfidat e familjes në shoqërinë bashkëkohore”.

Kjo konferencë mblodhi së bashku mbi 20 akademikë dhe studiues, të cilët në referimet e tyre u fokusuan në trajtimin e temave të ndryshme rreth rolit, rëndësisë dhe sfidave që familja po has çdo ditë.

Në sesionin hapës të konferencës ishin të pranishëm Kryetari i Komuniteit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, si dhe Kryetari i Konferencës, Dr. Genti Kruja.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Kruja, u ndal mbi rëndësinë dhe vlerën e edukimit ku tha se përsosmëria e një kombi dhe një shoqërie nis nga familja dhe nisur nga kjo, edukimi duhet filluar po nga familja.

Më tej, të pranishmit i përshëndeti Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, i cili pasi falënderoi organizatorët dhe të pranishmit për pjesëmarrjen u ndal në rolin që ka familja në Islam.

“Feja islame shumë shpesh fokusohet te rëndësia e familjes dhe e konsideron atë si kala mbrojtëse përballë jetës së shthurur, sepse është vendi ku natyra njerëzore mund ta shprehë veten në mënyrën më të mirë, mund t’i realizojë dhe kthejë në praktikë vlerat e larta si: dashuria, respekti, dhembshuria, sakrifica, besnikëria dhe bindja.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Për të vijuar më tej me fjalën përshëndetëse të Rektorit, Prof. Gjana, i cili falënderoi të gjithë akademikët dhe studiuesit për punimet e prezantuara në këtë konferencë, si dhe gjithashtu qëndroi mbi rëndësinë, që kanë familja, mësuesit, edukatorët dhe liderët fetarë në përcjelljen e mesazhit të drejtë dhe edukimit të pastër të brezave të rinj në shoqërinë e sotme.

Konferenca vazhdoi më tej punimet e saj në sesione dhe me referues të ndryshëm, të cilët u fokusuan mbi rëndësinë dhe sfidat që po has çdo ditë familja në shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm. Sesione në të cilat referoi edhe Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica me temën: “Familja në Islam”.

Në referimin e tij ai theksoi se familja është një institucion i frymëzuar nga Zoti. Ajo nuk është formuar nëpërmjet proceseve eksperimentale të zhvillimit njerëzor e as rastësisht gjatë rrjedhës së kohës. Familja luan rol të rëndësishëm në shoqërinë islame, ajo është njësia bazë në shoqëri dhe është e organizuar në atë mënyrë që të veprojë si bashkësi në miniaturë.

Konferenca vazhdoi më tej me referimin e studiuesve të shumtë.

 

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë