Zhvillohet konferenca për vlerësimin e impaktit të projekteve: “Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”, projekte këto të zhvilluara ndër vite me mbështetjen financiare të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë dhe të implementuara nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Në ceremoninë hapëse të kësaj konference, e cila u zhvillua sot në ambientet e “Tirana International Hotel”, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Zv. Ambasadori Amerikan në Tiranë, z. Demian Smith, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku, Zëvendësministrja e Ministrisë së Brendshme, znj. Romina Kuko, Drejtori i Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri (CVE), z. Denison Meidani, Koordinatori i këtij projekti ndër vite, z. Fejzi Shaholli, si dhe myftij, imamë, studentë, të rinj të ndryshëm, etj.
Pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, z. Shaholli, ndau me ta një tablo përshkruese të këtyre projekteve. Implementimi i të cilëve u bë gjithësej në 6 vite, ku morën pjesë rreth 3.395 persona të grupmoshave dhe kategorive sociale të caktuara, si dhe u zhvilluan 156 seminare, 34 miniprojekte dhe 22 sesione informuese në 15 zona të ndryshme të vendit tonë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Spahiu, u ndal në qëndrimet e KMSH-së dhe punën konkrete që është bërë vit pas viti për parandalimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm në shoqërinë tonë.
“Si çdo vend tjetër europian edhe Shqipëria është prekur nga fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë kuadër, dua të theksoj se ne ishim të parët që në mënyrë institucionale kemi ndërmarrë hapa konkretë. Qysh prej vitit 2014 e deri në ditët e sotme, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me mbështetjen dhe në partneritet me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, kemi implementuar 6 projekte në luftën kundër ekstremizmit, duke punar me mijëra të rinj në të gjithë vendin për të sqaruar këtë fenomen i cili bie ndesh me principet e fesë islame dhe me etikën shoqërore demokratike.”- tha ai gjatë fjalës së tij.
Ndërsa Zëvendës Ambasadori Amerikan në Tiranzë, z. Smith, u shpreh falenderues për bashkëpunimin e frytshëm që ka karakterizuar të dy institucionet në implementimin e këtij projekti ndër vite. Ai vlerësoi arritjet e grupit të punës në zhvillimin e qindra aktiviteteve edukuese, kulturore e sociale me të rinj nga i gjithë vendi.
Sesioni hapës vijoi më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komitetit të Kulteve, z. Bulku, i cili përgëzoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për punën konkrete të bërë në aspektin e edukimit të grupeve të ndryshme të interesit kundër instrumentalizimit të fesë për qëllime të ndryshme.
Për të vijuar më pas me Zëvendësministren e Brendshme, znj. Kuko, e cila hodhi dritë mbi mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve vendore e lokale për implementimin e këtyre projekteve.
Ky sesion u mbyll me fjalën e Drejtorit të Qendrës (CVE), z. Meidani, i cili ndau me të pranishmit një rezyme të shkurtër mbi zhvillimin e ekstremizmit të dhunshëm si fenomen në vendin tonë, masat e ndërmarra kundër tij dhe aktualitetin e sotëm.
Punimet e kësaj konference u zhvilluan më tej në sesionin e dytë dhe të tretë të saj. Sesione në të cilat u analizua ecuria e projekteve, u analizua gjithashtu impakti i tyre në të gjitha ato kategori sociale që u bënë pjesë, u ndanë eksperienca personale nga pjesëmarrja në këto projekte, etj.