Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shtz. Ilir Meta, organizuan Konferencën Rajonale me temë: “Roli i Fesë në Ballkanin Perëndimor”.
Kjo konferencë, e cila e zhvilloi ceremoninë e hapjes në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë dhe punimet e saj në ambientet e “Tirana International Hotel”, mblodhi sëbashku përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare të vendit dhe Rajonit, si: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Fortlumturia e tij Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, Arqipeshkvi Metropolit Imzot George Frendo i Kishës Katolike Shqiptare, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ambasadorë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve fetare të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, studiues, akademikë dhe personalitete të ndryshëm, të cilët në referimet e tyre vunë theksin mbi fenë dhe ndikimin e saj në shoqëritë moderne.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta, tha se harmonia fetare është ndër vlerat më të vyera të Shqipërisë, e trashëguar nga kombi ynë ndër shekuj, e mbartur dhe forcuar nga qytetarët tanë dhe që u takon brezave të ardhshëm ta forcojnë dhe ta ruajnë atë si sytë e ballit.
“Është kënaqësi e veçantë për mua të bëhem pjesë e Konferencës Rajonale ‘Roli i Fesë në Ballkanin Perëndimor’ organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe partnerët e saj, të cilët gjej rastin t’i falënderoj! Jam krenar që jam Presidenti i një shteti që në themelet e veta ka bashkëpërfshirjen, bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, dhe i një populli që ndër shekuj, këtë ka patur dhe pikën e vet më të fortë.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Si përfaqësuesi më i lartë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetari, H. Bujar Spahiu, në fjalën e tij u shpreh se feja dhe prijësit fetarë gjithmonë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shoqëri. Myslimanët shqiptarë bashkë më prijësit e feve të tjera kanë qenë faktor kyc në formësimin e identitetit kombëtar. Në çdo hap të rëndësishëm të vendit tonë si Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, etj, ata kanë qenë mbështetësit e parë dhe në shumë raste edhe iniciues të lëvizjeve kombëtare dhe shtet formuese.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë sot ka një rol të rëndësishëm institucional në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit social, edukativ, moral dhe të bashkëjetesës ndërfetare. Në aktivitetin e tij institucional, KMSH, i ka lënë një rol të rëndësishëm edukimit dhe arsimit. Ne besojmë fort se edukimi dhe arsimimi i brezit të ri me dije shkencore dhe fetare do të jetë një faktor i rëndësishëm në stabilizimin dhe zhvillimin e shoqërisë. Duke patur parasysh këtë fakt KMSH ka në mbarëvajtje dhe ndjekje institucionale medrese në disa qytete kryesore të vendit, si Tiranë, Elbasan, Korçë, Shkodër, Kavajë dhe Durrës, si dhe Universitetin Bedër, themeluar në vitin 2011.”- tha z. Spahiu gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë konferencë.
Më tej ishte radha e përfaqësuesve të tjerë fetare dhe Presidentit të Shqipërisë, Shtz, Ilir Meta të përshëndetnin punimet e konferencës në seancën hapëse të saj, për t’ia lënë vendin referimeve të shumta të studiuesve të cilën sollën në fokus problematikat aktuale dhe zgjidhjet më të përshtatshme për çdo rast të shoqërive të Ballkanit Perëndimor.