Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi konferencën “Roli i imamëve në shoqërinë moderne”.
Konferenca e zhvilluar sot në ambientet e “Tirana International Hotel”, mblodhi studiues të fushave të ndryshme të cilët kontribuan me ide dhe këshilla të shumta në rolin e imamëve në shoqërinë e sotme, ku i pranishëm ishte edhe një ndër studiuesit më të njohur në Arabinë Saudite, Prof. Dr. Sherif Avni.
Konferenca u hap me këndimin e ajeteve Kur’anore nga kryevaizi i KMSH-së, Lauren Luli.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj theksoi rëndësinë e imamit në informimin dhe dhënien e njohurive fetare si dhe marrëdhëniet që ai duhet të ketë me të gjithë anëtarët e shoqërisë apo komunitetit në të cilin ushtron aktivitetin e tij.
“Xhamia është një vend i shenjtë ku besimtari nuk vjen vetëm për të kryer adhurimet ndaj krijuesit të gjithësisë, por vjen edhe për tu thelluar në njohuritë fetare. Prandaj është shumë e domosdoshme që besimtarët të motivohen që të lexojnë literaturë islame. Imami si një lider fetar, por edhe si përfaqësues i institucionit të KMSH-së patjetër që duhet të ketë komunikim të shëndoshë me pjesën elitare të komunitetit që e rrethon. Mbi të gjitha puna jonë është edhe një përgjegjësi profetike.”, tha ndër të tjera kryetari Bruçaj.
Në sesionin e parë të moderuar nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi, u trajtuan temat: “Si të mbrojmë veten tonë nga gabimet e trashëgimisë së ixhtihadit”, nga Prof. Dr. Sherif Avni, Universiteti Ummulkrra, Mekke; “Njohja e njeriut dhe shoqërisë nga drejtuesit e fesë”, nga Ayhan Tekinesh, Universitetit Bedër dhe “Arti i komunikimit publik”, nga Ramadan Çipuri, Universiteti Bedër.
Ndërsa në sesionin e dytë të moderuar nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu, u trajtuan temat: “Detyra e imamit në marrëdhëniet me myslimanët dhe të tjerët” nga Dr. Jamal Safarty, Universiteti Bedër; “Metodat e thirrjes në kohët moderne”, nga Dr. Muhammed Fethullah Mutewelli, Universiteti Bedër dhe “Rëndësia e kumtimit në Islam” nga nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu.
Në konferencë morën pjesë studiues, myftinj, imamë nga e gjithë Shqipëria, student dhe besimtarë.
21 maj 2016