Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e besimit” u zhvillua mbrëmjen e djeshme në Myftininë Kurbin, ku ishin të pranishëm Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, Drejtori i Thirrjes dhe Mesazhit Islam, z. Erjol Haxhiu, Myftiu i Kukësit, z. Emirjon Vathaj dhe Myftiu i Kurbinit, z. Edmir Maxharri.
Kjo mbrëmje u çel me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Kurbinit, i cili ju uroi mirëseadhjen besimtarëve të pranishëm dhe theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla në dinamikën e jetës fetare të qytetit.
Më tej, Nënkryetari Bica, referoi mbi besimin si mirësinë më të shtrenjtë që posedojmë në jetën e kësaj bote, duke e ilustruar fjalën e tij me shembuj të shumtë nga jeta e Profetit Muhamed (a.s).
Ndërsa z. Haxhiu, e përqendroi referimin e tij në mesazhet e shumta që nxjerrim nga surja Maun, sure në të cilën Allahu këshillon besimtarin të jetë i kujdesshëm ndaj shtresave në nevojë, jetimëve, të jetë i përpiktë dhe i kujdesshëm në adhurime, sidomos në faljen e namazit.
Kjo mbrëmje fetare u mbyll me referimin e Myftiut të Kukësit, i cili ndau me besimtarët e pranishëm klasifikimin e veprave të mira, veprimin e tyre si dhe shpërblimet e besimtarit në çdo rast që vepron të mirën dhe ndalon nga e keqja.