Në kuadër të fillimit të muajit të begatë të Ramazanit, Myftinia e Beratit, zhvilloi një program fetar kushtuar vlerave dhe mirësive të tij, program në të cilin mori pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të shoqërisë civile, mësues, mjekë dhe të tjerë personalitete të fushave të ndryshme të qytetit të Beratit.

Programi u çel me leximin e disa ajeteve Kur’anore nga imami Abdullah Ziba, për të vijuar më pas me fjalën përshëndetëse të zv. Myftiut të Beratit, z. Bilbil Talla, i cili ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe ndau me ta atmosferën shpirtërore që karakterizon besimtarët ky prag Ramazani.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Spahiu, pasi falenderoi Myftininë për këtë organizim madhor dhe angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e jetës fetare në qytetin mijëra vjeçar të Beratit, u ndal në veçantinë e këtij muaji të madhnueshëm, në urtësitë dhe vlerat e agjërimit.

“Të gjithë besimtarët duhet të jenë shembull në kryerjen e veprave që na urdhëron Zoti përgjatë gjithë muajve e ditëve të vitit, por në muajin e Ramazanit, ne duhet të shkëlqejmë në këtë aspekt. Agjërimi është kulmi i adhurimit ndaj Zotit, është marrëdhënia më e ngushtë mes Zotit dhe robit të Tij. Në këtë muaj ka filluar kumtimi, zbritja e fjalës së Zotit te Profeti ynë (a.s.), ka filluar shpallja e Kuranit Famëlartë. Ky është muaji i faljes, muaji i mëshirës, muaji i paqes.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Programi vijoi më tej me përshëndetjet, referimet, ilahitë dhe poezitë e përgatitura me këtë rast, ku të pranishmit kaluan një mbrëmje të mbushur me atmosferë besimi e adhurimi ndaj Zotit të Botëve.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë