Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ditën e djeshme mori pjesë në simpoziumin fetar të organizuar nga Myftinia Elbasan në kuadër të fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.
Simpoziumi i zhvilluar në sheshin e xhamisë Ballia mblodhi së bashku imamë, besimtarë e qytetarë të shumtë të qytetit të Elbasanit.
Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka, falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi muajin e Ramazanit si kohën më të mirë për tu afruar me Zotin, për tju ardhur në ndihmë nevojtarëve e për të lartësuar shpirtin.
Ndërsa kryetari Spahiu, vlerësoi Elbasanin si një qytet me traditë në përhapjen e mesazhit të drejtë të Islamit, dëshmi e të cilit ishte edhe ky simpozium i kthyer tashmë në traditë nga kjo myftini. Më tej ai uroi besimtarët për një muaj sa më të begatë dhe bëri thirrje për solidarizim me shtresat në nevojë.
“Ramazani është një muaj që na jep mundësi ne myslimanëve të pastrojmë vetet tona sepse është adhurim ndaj Zotit të gjithësisë, por Ramazani është gjithashtu një muaj që na shtyn ne të rifreskojmë edhe cilësitë e mrekullueshme të njeriut që hera-herës përgjumen gjatë vitit, siç janë altruizmi, solidariteti me më të dobtit e nevojtarët, ndarja e të mirës materiale me tjetrin dhe reflektimi i butësisë në çdo aspekt.” -veçoi ai gjatë fjalës së tij.
Aktiviteti u zhvillua më tej me referime, ilahi e poezi dedikuar muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në fund u bë një lutje e përbashkët për paqe, begati dhe mëshirë për të gjithë njerëzimin.