Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, në kuadër të festave të nëntorit, zhvilloi një program artistiko-fetar si dhe panairin e bamirësisë në ambientet e Universitetit “Bedër”.
Në aktivitet ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, Përgjegjësja e Zyrës së Gruas pranë KMSH-së, znj. Fatma Karaj, prindër e të ftuar të ndryshëm, pedagogë, studentë dhe përfaqësues të bizneseve që bënë të mundur realizimin e panairit të bamirësisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bruçaj, pasi shprehu falënderimet e tij për organizmin e programit që në brendësi të tij përmbante poezi dhe këngë patriotike, ilahi, valle nga grupi i Ansamblit “Alba Folk”, u ndal në rëndësinë që zë edukimi i brezave të rinj me ndjenjat patriotike, e parë kjo edhe në kontekstin Islam.
“Shqipëria përgjatë historisë së saj, ka qenë një shembull, se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin. Dashuria për Zotin ka qenë burim dhe frymëzim për dashurinë për atdheun. Ndaj është detyra jonë që dashurinë ndaj atdheut t’ja përcjellim edhe brezave të ardhshëm ashtu siç na mësuan ne të parët tanë”.
Më tej ishte radha e Znj. Aliko të ndante me të pranishmit fjalën e saj përshëndetëse, në të cilën ajo u përqendrua kryesisht në rëndësinë që zënë aktivitete të tilla në edukimin dhe rifreskimin e ndjenjave kombëtare tek të gjithë ne. Më tej ajo nuk la pa përmendur dhe falënderuar të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e panairit të bamirësisë, të ardhurat e të cilit to të shkojnë për familjet në nevojë, gratë e dhunuara, fëmijët jetim, etj.
“Zyra e Gruas pranë këtij institucioni i është gjendur gjithmonë pranë shtresave në nevojë të shoqërisë tonë duke organizuar aktivitete të tilla të ngjashme. Ndaj unë ju shpreh vlerësimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në punën tuaj”- përfundoi ajo.
Ndërsa Znj. Fatma Karaj, përgjegjësja e zyrës së gruas pranë Komunitetit Mysliman, shprehu falënderimet e saj për të gjithë ata që ju përgjigjën pozitivisht pjesëmarrjes në aktivitet dhe ata që nuk ngurruan të kontribuonin në organizimin e panairit të bamirësisë me gatime dhe ëmbëlsira nga më të ndryshmet, të ardhurat e të cilin do të shkojnë për shtresat në nevojë.
“Atdheu është familja, prindërit, të afërmit, shoqëria. Të gjithë e duam atdheun dhe dashuria për të është një instinkt i mbjellë në shpirt. Atdheu i fal njeriut një qetësi të papërshkrueshme kur gjendet pranë tij dhe malli e djeg për të kur është larg tij. Klerikët fetarë në përgjithësi dhe myslimanët në veçanti kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në të gjitha ngjarjet me karakter historik, politik, ekonomik, social, shpirtëror e moral”- tha ajo.
Aktiviteti vazhdoi më tej me poezi dhe këngë patriotike, ilahi, dhe numra të ndryshëm të përgatitur nga nxënësit e medresesë së Tiranës. Pjesë e këtij programi ishte edhe grupi i Ansamblit “Alba Folk”, të cilët performuan me valle të krahinave të ndryshme të Shqipërisë.
Pas programit, u hap edhe panairi i ushqimeve, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të provojnë gatimet nga më të ndryshmet, duke kontribuar kështu në ndihmë të kategorive të lartpërmendura.