Në kuadër të muajit Rabiul Euel, në xhaminë Et’hem Beu u zhvillua një program fetar kushtuar Profetit Muhamed (a.s).

Të pranishëm për të ligjëruar për besimtarët e mbledhur me këtë rast, ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Nënkryetari Lauren Luli dhe imami i xhamisë, z. Elton Karaj.

Gjithashtu gjatë këtij programi u lexua Kuran nga hafizi Enes Hyka dhe një pjesë mevludi nga muezini i xhamisë, Osman Kabili.

Në fjalën e tij, kryetari Spahiu, u ndal në ndryshimet që solli në këtë botë ardhja e Profetit (a.s) në aspektin adhurimor, atë social, humanitar, edukues, etj.

“Mësimet dhe praktikat e tij, janë udhërrëfyesi më i ndritur në organizimin e jetës tonë. Muhamedi (a.s) është personalitet i papërsëritshëm për paqen, fisnikërinë, tolerancën, mëshirën, bamirësinë dhe harmoninë mbarë njerëzore. Në një periudhë shumë të shkurtër kohe, pavarësisht nga reagimet armiqësore ndaj mesazhit të tij, dashamirësia dhe butësia e Profetit (a.s), patën një jehonë dhe ndikim të jashtëzakonshëm në zemrat e njerëzve që e rrethonin. Ai transformoi me sukses një shoqëri të egër në një komunitet të civilizuar dhe përgatiti prijës për një rend dhe civilizim të ri shoqëror.” – tha ai gjatë referimit të tij.

Ndërsa nënkryetari Luli, theksoi shembullin e Profetit Muhamed (a.s), si shembullin më të mirë për njerëzimin, për paqen, për mirësitë dhe për mënyrën se si ti drejtohemi Allahut (xh.sh) në adhurimet tona.

Mevludi është një nga traditat e myslimanëve shqiptarë. Besimtarët kanë treguar gjithmonë një përkujdesje të veçantë për të, duke e ruajtur këtë traditë ndër shekuj. Kjo, në një fare mënyre, është shenjë mirënjohjeje dhe dashurie ndaj Profetit Muhamed a.s.

Profeti Muhamed lindi ditën e hënë, më 12 Rebiul-Evvel, në vitin 571 në Mekë.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë