Më datë 14 dhjetor 2017, u zhvillua simpoziumi i pestë ndërfetar në fushën akademike midis përfaqësuesve universitarë të tri shkollave teologjike, të tre komuniteteve fetare në Shqipëri, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”, Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian “Zonja e Këshillit të Mirë”, Shkodër dhe Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, të cilët ishin edhe mikpritësit e simpoziumit të radhës. Delegacionet respektive u pritën fillimisht nga Dekani i Akademisë Teologjike Ortodokse, Hirësi Nikolla, stafi pedagogjik dhe studentë të kësaj akademie.
Më pas filloi punimet simpoziumi, i moderuar nga Hirësi Nikolla, ku referuan përfaqësues të tre institucioneve të larta arsimore. Në emër të Departamentit të Shkencave Islame, Bedër referoi rreth kësaj teme PhD. Cand. Hysni Skura, i cili foli rreth “Dashurisë Hyjnore në Islam”. Ndër të tjera ai u shpreh se: “Dashuria Hyjnore përfaqëson dëshirën dhe përkujdesjen e pakufishme të Krijuesit për krijesat e veta. Duke e parë dashurinë edhe si ndjenjë më të fuqishme universale njerëzore, dashuria në Islam shprehet me anë të dhembshurisë dhe mëshirës. Të shumta janë shenjat e dashurisë së Zotit për njeriun, si Krijimi i njeriut si mëkëmbës në tokë, krijimi në formë të përsosur dhe vlerësimi i njeriut mbi krijesat e tjera”. Referatin e tij z. Skura e mbylli me leximin e një lutjeje, ku theksoi edhe njëherë varësinë e njeriut nga Zoti, duke kërkuar prej Tij të mbushë zemrat e njerëzve plot me dashuri për Të dhe për njeri-tjetrin.
Referuesi i dytë ishte Dom Lorenzo Rosseti, meshtar dhe pedagog në Seminarin Ndërdioqezian, i cili prezantoi pikëpamjen romano-katolike rreth dashurisë. Ai theksoi se: “Perëndia në Dhiatën e Vjetër, përmes dërgimit të Urdhërimeve shpreh dashurinë e Tij për njeriun, se Ai kërkon sigurinë e tij. Urdhërimet sipas tij na drejtojnë drejt dy boshteve të dashurisë, atij vertikal drejt Dashurisë për Perëndinë dhe padyshim atij horizontal, të dashurisë për të afërmin.”
Referati i tretë u mbajt nga z. Dhimitër Qosja, pedagog i Akademisë Teologjike Ortodokse, i cili theksoi se: “Dashuria është shoqëruesja e të gjitha veprimeve të Perëndisë në botë, të shprehura përmes Krijimit, jo nga nevoja, por nga liria, pikërisht dashuria e vërtetë është ajo që vjen nga liria. Zoti është dashuri, i cili e shpalos këtë pa rezervë.”
Në përfundim të tre referimeve pati diskutime dhe pyetje ndaj referuesve, ku pedagogë dhe studentë të tre palëve shprehen mendimet dhe komentet e tyre rreth temës së Dashurisë Hyjnore.
Në këtë simpozium morën pjesë dhe Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, Bedër, z. Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndër fetar në KMSH, të cilët edhe morën fjalën dhe diskutuan gjatë seancës së diskutimeve, si dhe gjithashtu morën pjesë pedagogë dhe studentë të Shkencave Islame, Bedër.