Në ambientet e Akademisë së Shkencave, u zhvillua simpoziumi me temë “Kurani dhe Njeriu”, kolana e autorit Xhemal Balla botuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Drejtoria e Kulturës).
Të pranishëm në këtë simpozium ishin autori i kolanës, z. Xhemal Balla, Kryetari i KMSH-s, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror Bektashi, H. Dede Edmond Brahimaj dhe Sheh. Bujar Horasani Tarikati Kadri dhe Sheh Qemaludin Reka Tarikati Rufai.
“Profesori Xhemal Balla i përket asaj gjenerate të medresistëve që u mbrujtën me kulturë të gjerë fetare e sociale, e ruajtën dhe vunë në jetë dijen që morën në medrese.
Ai është edhe një ndër kontribuesit kryesorë në lëmin e literaturës fetare e cila i shërbeu ringritjes së islamit në Shqipëri pas viteve ‘90.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është krenar për bashkëpunimin që ka patur në fushën e botimeve me autorin Xhemal Balla.”- u shpreh Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
Ndërsa Drejtori i Kulturës, z. Demetja, gjatë fjalës së tij tha se kjo kolanë vjen si botim i KMSH-së me 10 vëllime.
“Kolana sjellë pranë lexuesit komentimin e veprës “Ajka e kuptimit të Kurani Kerimit” të dijetarit të madh shqiptar Hafiz Ibrahim Dalliut.
Autori, duke u mbështetur në idetë bashkëkohore të Hafiz Dalliut në përkthimin dhe komentimin e Kur’anit mbi një shekull më parë, ai e sjell atë aktual, duke analizuar problemet dhe duke i komentuar ato mbi bazën e citimeve të Kur’anit.”
Autori i veprës, z. Xhemal Balla, falenderoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për bashkëpunimin në botimin e kësaj vepre:
“Kolana ‘Kurani dhe njeriu’ i serviret lexuesit në një stil të thjeshtë dhe të konsoliduar. Përmbajtja e saj është tregues i një materiali të pasur, me tematika të larmishme dhe i një informacioni të gjerë jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë shkencor, moral, letrar e sociologjik.”- tha autori gjatë fjalës së tij.
Simpoziumin e përshëndeti edhe Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, Kryegjyshi Botëror Bektashi, H. Dede Edmond Brahimaj dhe Sheh. Bujar Horasani, të cilët vlerësuan dobinë e këtyre botimeve për besimtarët në veçanti, por edhe për publikun e gjerë.
Ndër referuesit ishte edhe znj. Fatma Karaj, Përgjegjësja e Zyrës së Gruas pranë KMSH-s.
Znj. Karaj u përqëndrua në fjalën e saj në lirinë dhe të drejtat që i jep Kurani Famëlartë gruas.
“Me ardhjen e Kuranit gruaja fitoi lirinë dhe të drejtat e mohuara deri në atë moment, të drejta të cilat Allahu i sanksionoi njëherë e përgjithmonë në Kuran.“ – u shpreh znj. Fatma Karaj gjatë fjalës së saj.
Në fund të simpoziumit, Kryetari Spahiu i dha z. Xhemal Balla një çertefikatë mirënjohje në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për kontributin e çmuar që ka dhënë në fushën e publicistikës islame.
Të pranishëm në simpozium ishin shumë besimtarë, intelektualë e dashamirës të librit.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë