Është zhvilluar ditën e sotme, dt. 26 mars 2015 një takim miqësor midis studentëve të Shkencave Islame të Universitetit Bedër dhe studentëve të Teologjisë Katolike nga Seminari Ndërdioqezian Shkodër, gjatë një vizite dhe takimi të organizuar për të promovuar dialogun ndërfetar, nëpërmjet hapave konkret të njohjes dhe prezantimit të studentëve të teologjisë.

Të ftuarit nga Seminari Ndërdioqezian “Nëna e Këshillit të Mirë”, përbëheshin nga rektori i këtij Seminari Don Leonardo Falco, Drejtori i Institutit Filozofiko-Teologjik dhe pedagog i teologjisë dogmatike Atë Mario Imperatori, rektori i Seminarit “Redemptoris Mater” në Lezhë Don Lorenzo Rosseti, pedagogu i teologjisë dogmatike dhe i dialogut ndërfetar Don Robert Kola, si dhe rreth njëzet studentë të teologjisë katolike.

Ata janë pritur nga stafi pedagogjik i Departamentit të Shkencave Islame, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Selman Kuzu, Drejtori i Qendrës për Studime Islame Dr. Atakan Derelioglu, pedagogu z. Elton Karaj, si dhe studentë të Shkencave Islame në Universitetin Bedër.

Gjatë takimit në një nga auditorët e universitetit, pas njohjes dhe prezantimit nga të dyja palët, studentët kanë prezantuar secili departamentin e tyre, mësimet dhe leksionet që marrin, duke u njohur kështu më mirë me aspektin arsimor dhe atë të literaturës të teologjisë Islame dhe asaj katolike.

Më pas studentët kanë zhvilluar një seancë me pyetje dhe përgjigje drejtuar njëri-tjetrit dhe pedagogëve të pranishëm, duke bërë të mundur kështu njohjen nga afër për herë të parë në këtë nivel, jo vetëm në Shqipëri, por edhe duke shënuar kështu edhe një nga takimet e rralla edhe në arenën ndërkombëtare.

Pas takimit dhe drekës të shtruar në ambientet e Universitetit Bedër, të ftuarit kanë vizituar auditorët e universitetit, sallën e konferencave, Muzeun e Medias të sapo hapur dhe bibliotekën e universitetit.

Gjatë kësaj vizite, stafi pedagogjik i delegacionit katolik, është pritur edhe nga rektori i Universitetit Bedër, Dr. Ferdinand Gjana.

Të dyja palët e kanë vlerësuar si mjaft të frytshëm këtë takim, duke e cilësuar si hapin e parë të kalimit nga dialogu teorik në atë praktik, pikërisht nëpërmjet takimit dhe njohjes midis stafit pedagogjik dhe studentëve të Shkencave Islame dhe të Teologjikë Katolike në vendin tonë, duke u bërë një shembull konkret i harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri.

beder dialog (1) beder dialog (2) beder dialog (3) beder dialog (4) beder dialog (5) beder dialog (6) beder dialog (7) beder dialog (8)

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë